Tufan Aktaş,Gökhan Kavak
01 Tetor 2020•Përditësim: 01 Tetor 2020
Më shumë se 2 milionë njerëz në Republikën e Afrikës së Jugut (RAJ) e kanë humbur punën për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një raporti për fuqinë punëtore në Afrikën e Jugut, gjithsej 2.000.217 njerëz e kanë humbur punën e tyre për shkak të vendosjes së masave më 26 mars kundër përhapjes së virusit.
Rezultatet e raportit treguan se numri i njerëzve në atë vend, të cilët e kanë humbur punën për arsye ekonomike në vitet e fundit është rritur në 14.1 milionë.
Numri i të papunëve në muajt e fundit për shkak të pandemisë së koronavirusit, megjithatë, paraqet rritjen më të madhe që nga kriza financiare e vitit 2008.
Sipas raportit, gjatë muajve të kaluar pa punë kanë mbetur 1.2 milionë punëtorë të regjistruar, 640 mijë punëtorë në sektorin informal, 311 mijë persona që punojnë në amvisëri dhe 66 mijë në sektorin e bujqësisë.
Ekspertët vlerësojnë se numri i njerëzve që kanë humbur punën për shkak të vendosjes së masave gjatë pandemisë është edhe më i lartë se kaq.
Nga ana tjetër, Republika e Afrikës së Jugut ka rihapur kufijtë e saj, përveç me 57 vende që i konsideron të rrezikshme.
Ministrja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit, Naledi Pandor të mërkurën deklaroi se shkalla e infeksionit në vend është ulur dhe se jeta do të kthehet gradualisht në normalitet.
Ajo potencoi se nga 1 tetori, kufijtë do të jenë të hapur për të gjitha vendet afrikane dhe fqinje, duke shtuar se njerëzit që vijnë nga 57 vende që konsiderohen me rrezik të lartë, përveç udhëtimeve ekonomike do të vazhdojnë të mos lejohen të hyjnë në vend.
Afrika e Jugut ka numrin më të lartë të infeksioneve me koronavirus në kontinentin afrikan. Numri i rasteve në vend u rrit në 674.339 ndërsa numri i vdekjeve nga COVID-19 arriti në 16.734.