Burak Bir
20 Prill 2026•Përditësim: 20 Prill 2026
Valentina Gomez, një figurë amerikane anti-islame, e cila ishte autorizuar më parë të marrë pjesë në një tubim të planifikuar të ekstremit të djathtë në Londër, i është ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton Anadolu.
26-vjeçarja e njohur për qëndrimet e saj kundër Islamit, javën e kaluar kishte marrë leje për hyrje përmes autorizimit elektronik të udhëtimit (ETA), pasi ishte planifikuar të mbante një fjalim në tubimin “Bashkoni Mbretërinë” më 16 maj, i organizuar nga figura e ekstremit të djathtë Stephen Yaxley-Lennon.
Megjithatë, sipas The Guardian, ministrja e brendshme, Shabana Mahmood, ndërhyri për të tërhequr autorizimin, duke argumentuar se prania e saj “nuk do të ishte në interes të së mirës publike”.
Më herët këtë muaj, qeveria britanike ndaloi gjithashtu reperin amerikan, Kanye West, të udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke cituar të njëjtën arsye.
Vitin e kaluar, ai mori pjesë në tubimin e parë “Bashkoni Mbretërinë”, së bashku me Yaxley-Lennon dhe fyeu muslimanët, duke pretenduar se ata po “marrin kontrollin” e vendit.
“Ndërsa e njohim të drejtën demokratike për të shprehur lirshëm pikëpamjet, kjo nuk përfshin promovimin e urrejtjes dhe pikëpamjeve ekstremiste”, tha një burim pranë ministres së brendshme.
Mahmood ka qenë nën presion nga politikanë dhe aktivistë për t’i ndaluar hyrjen Gomez-it në vend.