Salih Okuroğlu
31 tetor 2024•Përditësim: 01 nëntor 2024
Ish-guvernatori i Kalifornisë në SHBA dhe aktori Arnold Schwarzenegger si dhe aktorja fituese e çmimit "Emmy", Jennifer Aniston, njoftuan se do të mbështesin kandidaten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, transmeton Anadolu.
Schwarzenegger dhe Aniston njoftuan se kë do të mbështesin në zgjedhjet presidenciale në llogaritë e tyre në rrjetet sociale. Duke rikujtuar se ai është një ish-Republikan, Schwarzenegger tha: "Më lejoni të jem i sinqertë me ju: nuk më pëlqen asnjëra parti për momentin".
Ai theksoi se nëse ish-presidenti dhe kandidati republikan për president Donald Trump zgjidhet, ai do të gjejë mënyra të reja për të qenë më "anti-amerikan" se sa është tani dhe se njerëzit nuk do të fitojnë asgjë përveç zemërimit.
"Para se të jem Republikan çdo herë do të jem amerikan. Prandaj këtë javë votoj për Kamala Harris dhe Tim Walz", shkroi aktori i mirënjohur.
Aktorja fituese e çmimit "Emmy", Jennifer Aniston gjithashtu ndau në llogarinë e saj në Instagram se votoi për Harris dhe Walz gjatë fazës së votimit të hershëm.
Ajo shtoi se nuk votoi vetëm për qasjen në kujdesin shëndetësor, të drejtave të barabarta dhe një ekonomi të drejtë, por edhe për "shëndetin mendor".
Duke bërë thirrje për t'i dhënë fund epokës së frikës, kaosit dhe sulmeve ndaj demokracisë së tyre dhe që të votojnë për dikë që do t'i bashkojë ata, Aniston tha se votoi "me krenari" për Kamala Harris dhe Tim Walz.