Ahmed al-Masri,Mahmut Geldi
30 Tetor 2017•Përditësim: 31 Tetor 2017
MANAMA (AA) - Mbreti i Bahreinit, Hamad bin Isa Al Halife, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në samitet dhe mbledhjet e Gjirit në qoftë se Katari nuk ndryshon qëndrimin dhe nuk u përgjigjet pozitivisht kërkesave të katër shteteve që kanë bllokuar këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Katari sot ka dëshmuar se krahas marrëveshjeve dhe traktateve, nuk respekton edhe lidhjet që e mbajnë në këmbë Këshillin për Bashkëpunim të Gjirit, duke ndjekur politika të cilat cenojnë sigurinë e shteteve të Këshillit", citohet të ketë thënë Al Halife nga agjencia zyrtare e lajmeve e Bahreinit BNA në një mbledhje të këshillit të ministrave në kryeqytetin Manama.
Al Halife është shprehur se Katari duhet ta përmirësojë qëndrimin dhe t'u përgjigjet pozitivisht kërkesave të Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Egjiptit, në të kundërtën, ka thënë ai, nuk do të marrin pjesë në samitet dhe mbledhjet e Gjirit në të cilat merr pjesë Katari.
Duke potencuar se Këshilli i Gjirit për Bashkëpunim është një strukturë e fuqishme, Al Halife ka theksuar: "Ka ardhur koha të hedhim hapa më të vendosura kundër atyre që kërcënojnë sigurinë e vëllezërve duke kërkuar forcë nga jashtë. Është e pamundur të zhvillohen mbledhje dhe samite të dobishme me ata që nuk e duan të mirën e këtij sistemi (Këshillit të Gjirit) dhe madje përpiqen të krijojnë pengesa".
Ndryshe, kriza në rajonin e Gjirit filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për "mbështetje të grupeve terroriste".
Teksa Doha zyrtare i ka mohuar të gjitha akuzat, katër shtetet i kanë parashtruar Katarit një listë me 13 kërkesa, për të cilën Katari ka theksuar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.