Ali H. M.Abo Rezeg
22 Prill 2019•Përditësim: 22 Prill 2019
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, në prag të një samiti të planifikuar në Kajro mbi Sudanin, ka pranuar një letër nga kreu i Këshillit të Përkohshëm Ushtarak të Sudanit (MTC), Abdel Fattah Burham, transmeton Anadolu Agency (AA).
Al-Sisit iu dorëzua letra nga Abu Bakr Demblab, kreu i Shërbimit Kombëtar i Sigurisë dhe Informacionit të Sudanit, në një takim të sotëm në Kajro, ku i pranishëm ishte edhe shefi i intelegjencës egjiptiane, Abbas Kamel.
Sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e al-Sisit, letra përfshinte “konferencën mbi zhvillimet e fundit në Sudan dhe apelin ndaj Egjiptit për të vazhduar mbështetjen e saj për sigurinë dhe stabilitetin e Sudanit”.
Në deklaratë po ashtu theksohet se al-Sisi shprehu “gatishmërinë e Egjiptit për të siguruar të gjitha mjetet e mbështetjes për Sudanin”.
Deklarata nuk dha detaje lidhur me kohëzgjatjen ose itinerarin e vizitës së Demblab në kryeqytetin egjiptian.
Më 11 prill, pas disa muajve të protestave kundër regjimit, ushtria sudaneze njoftoi rrëzimin e presidentit Omar al-Bashir, i cili ka qeverisur Sudanin që nga viti 1989.
MTC tani po mbikëqyr “periudhën kalimtare” dyvjeçare, gjatë së cilës ka premtuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.
Al-Sisi, ish-ministër i mbrojtjes, erdhi në pushtet pas një grushti ushtarak të vitit 2013 kundër udhëheqësit të parë demokratik të Egjiptit, Mohamed Morsi.