Ramazan Turgut
20 qershor 2017•Përditësim: 20 qershor 2017
DOHA (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Muhamed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani para gazetarëve në Doha, tha se dialogu dhe negociatat me vendet arabe, të cilët kanë shkëputur marrëdhëniet me Dohan, mund të fillojë vetëm pas heqjes së izolimit ndaj vendit të tij, raporton Anadolu Agency (AA).
"Nuk do të ketë kurrfarë negociatash ndërsa Katari është në izolim. Për të filluar negociatat duhet që vendet që kanë shkëputur lidhjet të shfuqizojnë izolimin", tha Al Thani.
Ai theksoi se në këtë drejtim deri më tani nuk është bërë asnjë hap. Sipas tij, Al Jazeera, rrjeti televiziv i Katarit me seli në Doha, nuk mund të jetë kurrfarë subjekti i negociatave.
Al Thani theksoi se vendi i tij ende nuk ka marrë asnjë ftesë për negociata të mundshme për të diskutuar në lidhje me krizën diplomatike.
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti, Bahreini dhe Jemeni, më 5 qershor njoftuan ndërprerjen e të gjitha lidhjeve diplomatike me Katarin, të cilat e akuzojnë për destabilizim të rajonit, ku mbyllën hapësirën ajrore për Katarin dhe urdhëruan diplomatët e Katarit që të largohen nga vendi brenda 48 orëve. Autoritetet e Jordanisë gjithashtu i janë bashkuar Arabisë Saudite dhe vendeve tjera dhe njoftuan ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin.