Shpetim Hiseni
04 shtator 2020•Përditësim: 05 shtator 2020
Kosova dhe Serbia sot kanë nënshkruar marrëveshje të ndara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për normalizim ekonomik të të dyja vendeve të Ballkanit në Washington, njoftoi Shtëpia e Bardhe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nënshkrimi u bë në Shtëpinë e Bardhë dhe me praninë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili qëndroi në mes të delegacionit shtetëror të Kosovës të kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe delegacionit serb të kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq.
“Presidenti Donald Trump ka njoftuar se Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord për normalizimin ekonomik. Një marrëveshje tjetër historike e arritur nga ky president për ta bërë botën një vend më paqësor, më të begatë”, shkroi në median sociale Judd Deere, zëvendëssekretari për shtyp i Shtëpisë së Bardhë.
Takimi midis dy delegacioneve dhe ndërmjetësimin e SHBA-së ndodh një ditë pas nisjes së diskutimeve midis palëve.
Marrëveshja e arritur është e karakterit ekonomik dhe nuk përfshin pikën e shumëpërfolur të njohjes reciproke. Në orën 7 të mbrëmjes sipas orës lokale të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti nëpërmjet një deklarimi për media pritet të sjellë më shumë detaje të kësaj marrëveshje.