Muhammed Yasin Güngör
08 tetor 2026•Përditësim: 08 tetor 2026
Ekuipazhi ndërkombëtar prej katër astronautësh u kthye të enjten në Tokë pas një misioni të gjatë në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, transmeton Anadolu.
Ata përfunduan uljen e asistuar me parashutë në Oqeanin Paqësor, në brigjet e Kalifornisë.
Ulja u konfirmua në orën 15:34 GMT, kur anija kozmike "Crew Dragon Freedom" e kompanisë SpaceX u ul në zonën e paracaktuar në ujërat e oqeanit, duke përmbyllur një ekspeditë shkencore 237-ditore në orbitë.
Ekuipazhi i misionit Crew-12 përbëhej nga astronautja e NASA-s Jessica Meir, e cila shërbeu si komandante e misionit, dhe astronauti Jack Hathaway, pilot i misionit, si dhe astronautja e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), Sophie Adenot, dhe kozmonauti i Roscosmos, Andrey Fedyaev.
Ekuipazhi u largua nga laboratori orbital të mërkurën.
Katër astronautët u nisën drejt stacionit më 13 shkurt nga Kepi Kanaveral në Florida, me një raketë Falcon 9.
Kthimi i tyre pasoi mbërritjen e ekuipazhit zëvendësues Crew-13, i cili u nis më 1 tetor.
“Duhet të kthehemi në Hënë. Duhet të ndërtojmë bazën në Hënë. Duam t’i zotërojmë këto aftësi”, tha administratori i NASA-s, Jared Isaacman, për Fox Business, duke folur për nismat më të gjera amerikane të eksplorimit të hapësirës.
Isaacman tha se ekipet synojnë të testojnë kostumet për lëvizje, kushtet e banimit, sistemet e energjisë dhe komunikimet në sipërfaqen e Hënës përpara se të tentojnë fluturimet me ekuipazh drejt Marsit, të cilin ai e cilësoi si “hapin e ardhshëm në këtë udhëtim”.