Ekip
25 Mars 2017•Përditësim: 26 Mars 2017
XHAKARTË (AA) – Një avion ushtarak amerikan ka bërë ulje emergjente në aeroportin e krahinës indoneziane Aceh, tha të shtunën Jemi Trisonjay, zëdhënësi i forcave ajrore të Indonezisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë aterimit të detyrueshëm nuk ka të lënduar, ndërsa Trisonjay shtoi se avioni ushtarak amerikan Boeing 707 kërkoi leje për aterim të premten, pasi pati probleme njëri nga katër motorët.
“Avioni mori leje për ulje emergjente, ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe autoambulancat u stacionuan në pistën e aeroportit. Avioni me sukses ateroi në aeroportin Sultan Iskandar Muda në Banda Aceh, kryeqytetin e krahinës”, tha Trisonjay.
Avioni transportonte 20 ushtarakë nga Diego Garcia, baza ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Oqeanin Indian, në Japoni ku duhej të ateronte në aeroportin Haneda. Shkaku i defektit të motorit ende nuk dihet.