Sibel Uğurlu,Fatih Hafız Mehmet,Sena Güler
12 Prill 2018•Përditësim: 12 Prill 2018
BAKU (AA) - Presidenti aktual i Azerbajxhanit Ilham Aliyev është rizgjedhur sërish në këtë detyrë sipas rezultateve të pjesshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor të Azerbajxhanit, Mazahir Panahov, mbajti një konferencë shtypi të mërkurën në të cilën njoftoi se Aliyev u rizgjodh me 86,09 për qind të votave.
Panahov shtoi se pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje arriti në 74,51 për qind.
Presidenti Aliyev falënderoi popullin e Azerbajxhanit gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit.
"Qytetarët e Azerbajxhanit votuan për stabilitet, siguri, zhvillim dhe përmirësim në këto zgjedhje", tha Aliyev.
Ai tha se ndikimi ndërkombëtar i Azerbajxhanit është rritur, duke falënderuar popullin për kontributin e tyre në këtë sukses.
"Koherenca midis qytetarëve dhe qeverisë e ka bërë Azerbajxhanin një vend të fuqishëm", deklaroi Aliyev.
Pas rezultateve, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan uroi Aliyev-in në një telefonatë me rastin e fitores, njoftuan burimet presidenciale.
Erdoğan gjithashtu deklaroi se zgjedhja e Aliyev-it për të katërtën herë do të jetë në të mirë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit.
Po ashtu, edhe kryeministri turk Binali Yıldırım uroi presidentin e rizgjedhur për fitoren.
Më herët, Qendra e Pavarur e Kërkimeve ELS, e cila kreu një exit poll me 80 mijë votues në 300 kuti të votimit, tha se Aliyev kishte fituar 82,7 për qind të votave.
Sondazhe të tjera të kryera nga kompani si OpinionWay nga Franca dhe Arthur J. Finkelstein & Associates me bazë në SHBA treguan se Aliyev kishte fituar më shumë se 85 për qind të votave.