Selen Temizer
04 Prill 2022•Përditësim: 05 Prill 2022
Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se dënon sulmet e Rusisë ndaj civilëve në Bucha dhe qytete të tjera të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e Punëve të Jashtme të BE-së, theksohet se BE-ja dënoi në termat më të ashpër mizoritë në rajonet e pushtuara dhe të çliruara së fundmi nga forcat ruse.
"Imazhet e tmerrshme të vdekjeve dhe viktimave të shumta civile, si dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile, tregojnë fytyrën e vërtetë të luftës brutale të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj. Masakrat në Bucha dhe qytete të tjera do të përfshihen në listën e mizorive të kryera në tokat evropiane”, thuhet në deklaratë.
Duke theksuar se Rusia është përgjegjëse për mizoritë në fjalë, në deklaratë thuhet se BE-ja do të mbështesë proceset e kryera për të kërkuar llogari te përgjegjësit.
“BE-ja do të vazhdojë urgjentisht të punojë për sanksione shtesë kundër Rusisë”, theksohet në deklaratë.
Ushtria ukrainase, e cila çliroi qytetin Bucha, afër Kievit, kryeqyteti i Ukrainës, nga forcat ruse më 1 prill, u ndesh me një qytet plot me kufoma, me ndërtesa dhe me rrugë të shkatërruara.
Trupat e 410 civilëve u gjetën në vendbanimet e çliruara pranë Kievit.