Ömer Tuğrul Çam
08 Shtator 2021•Përditësim: 08 Shtator 2021
President i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi se SHBA-ja pothuajse nuk është konsultuar aspak me vendet e Evropës për çështjen e tërheqjes nga Afganistani dhe se kriza e Afganistanit ka forcuar sipas tij idenë e autonomisë strategjike të Evropës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë me institucionin think tank të emërtuar Grupi i Punimeve Gjeopolitike, Michel, rikujtoi se vendet evropiane treguan solidarizim me SHBA-në pas sulmeve të 11 shtatorit dhe se neni 5 i NATO-s u vu në veprim për herë të parë në histori.
Duke kritikuar qeveritë aktuale dhe të mëparshme të SHBA-së, Michel, tha se "Përkundër kësaj, ajo që më bën përshtypje si evropianë është se SHBA-ja u konsultua shumë pak me partnerët evropianë edhe kur vendosën të negociojnë me talebanët në periudhën e administratës Trump, por edhe kur konfirmuan më pas tërheqjen nga Afganistani".
"Kriza në Afganistan është koha për ne evropianët që të shikojmë veten në pasqyrë dhe të pyesim veten tonë. Si mund të kemi më shumë ndikim nga sot në mjedisin gjeopolitik në të ardhmen? Si të veprojmë për të ndikuar rrjedhën e ngjarjeve në mënyrë që të jenë në përputhje me interesat tona?", tha Michel i cili nënvizoi se duhet të nxirret mësim nga Afganistani.
"Kriza e Afganistanit më forcoi bindjen që kam pasur prej një kohe të gjatë, bindjen time të cilët e kanë ndarë edhe të tjerët. Dhe kjo është ideja e autonomisë strategjike të Evropës", tha ndër të tjera Michel.
"Është e pamundur që askush të mos shqetësohet kur përballemi me kaosin e shfaqur gjatë tërheqjes së ushtarëve amerikanë. Duhet të jetë një arsye për t'u shqetësuar pasi një nga fuqitë më të mëdha në botë, siç është BE, një forcë ushtarake prej 27 vendesh me vlera të forta demokratike, nuk mund të sigurojë pa ndihmën e SHBA-së, ndihmën e nevojshme në mënyrë të pavarur për evakuimin e shtetasve të saj dhe afganëve që e kanë mbështetur atë", tha Michel.
Duke theksuar se edhe në periudhën e presidentit Joe Biden, në SHBA është i pranishëm "trendi për t'u dhënë përparësi interesave amerikane", Michel shtoi se "Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë realitet legjitim".
"Duhet të zhvillojmë strategjinë tonë lidhur me Kinën"
Lidhur me çështjen e Kinës, Michel dha sinjale se Evropa do të përqafojë një mënyrë veprimi të ndryshëm nga SHBA-ja.
Evropa nuk duhet të "mbahet peng" në konkurrencën SHBA-Kinë tha Michel i cili më tej vuri theksin se "Ne me SHBA-në ndajmë të njëjtat vlera demokratike dhe model politik. Në të njëjtën kohë ne si evropianë duhet të zhvillojmë strategjinë tonë lidhur me Kinën".
Michel, bëri me dije se strategjia e Evropës për Kinën duhet të ketë tre shtylla dhe këto i renditi të tilla si kërkesat për standardet e të drejtave të njeriut, ndryshimin e klimës dhe bashkëpunimi në situata ne nevojshme si pandemia COVID-19 dhe balancimi i qasjes reciproke në tregje.