Ata Ufuk Şeker
10 Dhjetor 2021•Përditësim: 10 Dhjetor 2021
Bashkimi Evropian vendosi të njohë certifikatat e vaksinës kundër COVID-19 të 3 vendeve tjera, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Evropian njoftoi se është vendosur që të pranohen certifikatat e vaksinës kundër COVID-19 të aplikuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Liban dhe Cape Verde si ekuivalente me certifikatat e BE-së.
Në deklaratë thuhet se të tre vendet në fjalë do të lidhen me sistemin e certifikatave të vaksinave të BE-së dhe se certifikatat e vaksinave të lëshuara nga këto vende do të kenë të njëjtat kushte si "Certifikata dixhitale e BE-së për COVID" dhe se certifikatat do të pranohen në vendet e BE-së.
Në deklaratë kujtohet se 55 vende janë aktualisht të lidhura me sistemin e certifikimit të vaksinave të BE-së.
Aplikimi për certifikatën e vaksinimit, i përgatitur nga BE-ja për të lehtësuar udhëtimin gjatë pandemisë, hyri në fuqi më 1 korrik.
Personat që janë të vaksinuar kundër COVID-19 me vaksinat e miratuara në BE si: BioNTech-Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson dhe që kanë kaluar 2 javë nga doza e fundit në përgjithësi nuk i nënshtrohen testeve shtesë ose kufizimeve shtesë në udhëtim.