Ömer Tuğrul Çam
11 Maj 2022•Përditësim: 12 Maj 2022
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, u takua me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, raporton Anadolu Agency (AA).
Në darkën jozyrtare të organizuar nga Borrell morën pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gervalla-Schwarz, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe anëtari serb i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës Millorad Dodik.
Borrell në fjalën e tij para takimit shprehu kënaqësinë që BE-ja mbledh çdo vit liderët e gjashtë vendeve në mënyrë tradicionale.
Siç tha ai, në takim do të diskutohen efektet rajonale dhe globale të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Rusia dëshiron të shfrytëzojë dobësitë tona dhe të rajonit. Ne duhet të punojmë së bashku për të mos lejuar Rusinë t’i përdorë ato”, tha shefi i diplomacisë evropiane.
Ai deklaroi se BE-ja e sheh Ballkanin Perëndimor jo si oborrin e saj, por si pjesë të gjeografisë së saj.
“Ne duhet të veprojmë së bashku kundër veprimeve destruktive të Rusisë në rajon, qofshin këto dezinformata apo sulme kibernetike. Jam i kënaqur që shumica e partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor qëndrojnë në anën e njëjtë me BE-në që nga dita e parë në reagimin e dhënë ndaj sulmit të Rusisë në Ukrainë. I ftoj edhe të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë”, theksoi Borrell.
Duke u shprehur se çështja e Ballkanit Perëndimor do të diskutohet në detaje në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së që do të mbahet më 16 maj, Borrell deklaroi se në takim do të ftojë edhe ministrat e jashtëm të vendeve të rajonit.
Borrell iu referua edhe Bosnjë dhe Hercegovinës, duke theksuar se “nuk ka vend fare” për kërcënimet ndaj integritetit territorial, unitetit dhe sovranitetit të vendit.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell tha se i dha një mesazh të qartë Millorad Dodikut, anëtarit serb të Këshillit të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës.