Ömer Tuğrul Çam
09 Maj 2022•Përditësim: 10 Maj 2022
Komisioni Evropian synon të paraqesë në qershor opinionin e tij për përgjigjet e Ukrainës ndaj "anketës", që konsiderohet si hapi i parë drejt anëtarësimit në Unionin prej 27 anëtarësh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen zhvilloi një takim me video-konferencë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës.
Von der Leyen në deklaratën e saj në rrjetet sociale ka thënë se ka shkëmbyer mendime me Zelenskyyn për rezultatet e takimit që kanë mbajtur dje me krerët e vendeve të G7-ës për Ukrainën.
Duke theksuar se ata diskutuan procesin e Ukrainës drejt BE-së gjatë takimit, Von der Leyen tha: "Mezi pres të marr përgjigjet për pyetësorin e anëtarësimit të Ukrainës në BE. KE-ja synon të japë mendimin e saj në qershor".
Pas sulmit rus, Ukraina njoftoi se dëshironte të bëhej sa më shpejt anëtare e BE-së. Mesazhe të ngrohta u dhanë nga BE-ja në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës.
Një vend duhet të plotësojë një dokument të quajtur pyetësor, i cili konsiderohet si një nga hapat e parë në procesin e anëtarësimit në BE dhe ta dorëzojë atë në KE. Komisioni ndan mendimin dhe rekomandimin e tij për këtë dokument me vendet anëtare të BE-së.
Von der Leyen ia përcolli sondazhin presidentit, Zelenskyy gjatë vizitës së saj në Ukrainë më 8 prill. Autoritetet ukrainase njoftuan se e kishin përgatitur dokumentin më 18 prill.
Megjithatë, zyrtarë të shumë vendeve anëtare të BE-së deklarojnë se u deshën muaj për të përfunduar këtë dokument mijëra faqesh në proceset e tyre të BE-së dhe se përfundimi i Ukrainës në një kohë kaq të shkurtër është i jashtëzakonshëm.
Udhëheqësit e vendeve të BE-së do të mbajnë një takim të posaçëm të nivelit të lartë më 30-31 maj për të diskutuar mbi çështjet e luftës dhe energjisë në Ukrainë. Udhëheqësit e BE-së do të takohen gjithashtu në samitin e planifikuar më 24-25 qershor.