Ömer Tuğrul Çam
28 Prill 2023•Përditësim: 30 Prill 2023
Bashkimi Evropian (BE) tha se civilët janë vendosur në objektivin e sulmeve ajrore që Rusia ndërmori në mëngjes ndaj disa qyteteve të Ukrainës dhe se krimet kundër civilëve përbëjnë krim lufte, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian (KE), Peter Stano në një konferencë për media tha se në sulme kanë humbur jetën ose janë plagosur civilë përfshirë edhe fëmijë.
"Që nga fillimi i luftës, Rusia vendos në objektiv civilët dhe infrastrukturën civile në qytetet dhe qytezat e Ukrainës, kryesisht ato pranë frontit", tha Stano i cili shtoi se pjesët e copëzave (shrapnel) prekin shumë civilë si fëmijët në shkolla.
Duke treguar një pjesë të copëzave që mbante në dorë, Stano theksoi se këto janë bërë varëse çelësash në mënyrë që të mos harrohen copëzat e bombës që shpërndahen në ajër pas çdo shpërthimi.
"Sulmet e Rusisë ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë krim lufte. Ata që kanë dhënë urdhrin, ata që kryejnë sulmin dhe bashkëpunëtorët nuk do të mbesin pa ndëshkim. Do të kërkohet llogari nga të gjithë", deklaroi Stano.
Ushtria ruse sot në mëngjes kreu sulme intensive me raketa dhe mjete ajrore pa pilot (dronë) ndaj qyteteve Dnipro, Uman dhe Ukrainka si dhe në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Raketat në Uman goditën apartamentet ndërsa në sulme humbën jetën 10 persona, përfshirë edhe fëmijë.