Şerife Çetin
02 Shkurt 2018•Përditësim: 02 Shkurt 2018
BRUKSEL (AA) – Belgjika do të ul numrin e ushtarëve patrullues në qytete të ndryshme të vendit të cilët ishin vendosur pas sulmit terrorist në vitin 2016 në Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve "Belga", pas uljes së nivelit të alarmit të terrorizmit nga 3 në 2 në të gjithë shtetin, Këshilli ministror i Qeverisë së Belgjikës ka marrë vendim për uljen graduale të numrit të ushtarëve në rrugë.
Ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Steven Vandeput, lidhur me çështjen deklaroi se numri i ushtarëve i cili aktualisht është afro 1.000, gjatë këtij muaji do të ulet në 750.
Vandeput bëri të ditur se një ekip ushtarak do të jetë i gatshëm si masë paraprake për të ndërhyrë në raste emergjente.
Organizata e Analizimit dhe Koordinimit të Kërcënimeve në Belgjikë (OCAM) më 23 janar tha se në bazë të vlerësimeve është marrë vendim që alarmi nga kërcënimi i terrorizmit i cili ishte 3, të ulet në 2.
Në sulmet ndaj një stacioni të metrosë dhe një aeroporti më 22 mars të vitit 2016, të paktën 32 persona humbën jetën ndërsa 270 të tjerë u plagosën. Përgjegjësinë për sulmin e mori organizata terroriste DEASH. Në këtë kuadër, kërcënimi nga terrorizmi në Belgjikë fillimisht ishte ngritur në 4, ndërsa më parë ishte ulur në 3.
Në kuadër të masave të marra pas sulmeve terroriste, ushtarët filluan të patrullonin në pjesët kryesore të qytetit. Gjatë vitit u tha se ushtarët patrullues kanë neutralizuar disa persona të cilët ishin në përgatitje të sulmeve terroriste.