Hakan Çopur
03 Shkurt 2024•Përditësim: 03 Shkurt 2024
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se iu përgjigjën sulmit ndaj bazës amerikane duke synuar forcat e Gardës Revolucionare të Iranit dhe bashkëpunëtorët e tyre në Siri dhe Irak, raporton Anadolu.
Biden lëshoi një deklaratë në lidhje me sulmin e 28 janarit në një bazë të SHBA-së në kufirin siriano-jordanez. Ai vuri në dukje se sulmi që vrau tre ushtarë amerikanë u krye nga grupe që mbështesin forcat e Gardës Revolucionare të Iranit.
Ai theksoi se forcat amerikane mbrëmë u kundërpërgjigjën ndaj sulmit ndaj bazës amerikane.
"Sipas urdhrave të mia, ushtria amerikane goditi objektivat që i përkisnin Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane dhe grupeve të tyre militante në Siri dhe Irak. Ne kemi filluar t'i përgjigjemi sulmit dhe kjo përgjigje do të vazhdojë në një kohë dhe vend që ne zgjedhim", tha Biden.
Ai theksoi se SHBA-ja nuk po zhvillojnë konflikt ushtarak në Lindjen e Mesme, duke shtuar se do të përgjigjen vetëm kundër atyre që synojnë ushtarët amerikanë.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi të premten vonë se kishte kryer sulme ajrore kundër objektivave që i përkisnin Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane dhe grupeve tjera të saj në Irak dhe Siri.
CENTCOM tha se kreu sulmet e para në rajon si përgjigje ndaj një sulmi ndaj një baze amerikane në kufirin Siri-Jordani më 28 janar.
Në deklaratë thuhet se të paktën 85 objektiva që i përkisnin Forcës Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Siri dhe Irak u goditën në sulmet ajrore.
Më tej thuhet se në sulme janë përfshirë edhe bombardues me rreze të gjatë veprimi që u ngritën nga SHBA-ja dhe se u përdorën më shumë se 125 bomba të drejtuara.
Në shënjestër kanë qenë qendra komandimi dhe kontrolli, raketa dhe mjete ajrore pa pilot.
Në sulmin ndaj bazës amerikane më 28 janar humbën jetën 3 ushtarë amerikanë dhe më shumë se 40 u plagosën.
Administrata amerikane kishte paralajmëruar se do të niste ofensivë në shkallë të gjerë në përgjigje të sulmit, duke synuar grupet e mbështetura nga Irani.