Dildar Baykan Atalay
10 Dhjetor 2021•Përditësim: 10 Dhjetor 2021
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden në një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, përsëriti mbështetjen "e palëkundur" të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se në një bisedë telefonike me Zelensky-n, Biden shprehu shqetësimet e SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë për qëndrimin "agresiv" të Rusisë ndaj Ukrainës.
"Nëse Rusia përparon ndërhyrjen e saj ushtarake, SHBA-ja dhe partnerët e saj evropianë do të vendosin sanksione të forta ekonomike dhe masa të tjera kundër Rusisë", theksoi Biden dhe përsëriti "mbështetjen e tij të palëkundur" për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Gjatë bisedës, Biden tha se SHBA-ja dhe partnerët e tyre mbeten të përkushtuar ndaj parimit se “pa Ukrainën nuk do të ketë asnjë vendim apo konsultim për Ukrainën”. Biden dhe Zelensky i bënë thirrje Rusisë që të de-përshkallëzojë tensionet dhe theksuan se mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet është diplomacia.
Biden potencoi se SHBA-ja është e gatshme të mbështesë marrjen e hapave për ndërtimin e besimit për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut.
Pasi tensionet u rritën në rajon si rezultat i grumbullimit të forcave ruse në kufirin ukrainas, Biden u takua me presidentin rus, Vladimir Putin përmes video-konferencës më 7 dhjetor dhe paralajmëroi homologun e tij rus për "pasojat e rënda" në rast të pushtimit të Ukrainës.