Mahmoud Barakat
22 Janar 2018•Përditësim: 23 Janar 2018
GAZA (AA) – Bizneset në Rripin e Gazës organizuan një grevë të përgjithshme në shenjë proteste ndaj përkeqësimit të kushteve ekonomike në territorin palestinez, raporton Anadolu Agency (AA).
Kompanitë, bankat dhe tregjet mbyllën dyert e tyre për klientët në të gjithë enklavën bregdetare. Greva një-ditore u thirr nga kompanitë e sektorit privat në një përpjekje për të hedhur dritë mbi përkeqësimin e kushteve ekonomike.
Një pronar i një lokali, Ahmed Abi Shaaban, për AA tha se “ndarja ndër-palestineze është shkaku kryesor i këtij përkeqësimi ekonomik”.
“Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, është përgjegjës për atë që po ndodh në Gaza”, tha Shaaban, duke i bërë thirrje qeverisë që të mbajë përgjegjësitë e saj për përmirësimin e kushteve në Rripin e Gazës.
Një vendbanim për rreth dy milion banorë, Rripi i Gazës përjeton krejtësisht standarde të përkeqësuara të jetesës, për shkak të një bllokade izraelite që është duke vazhduar për më shumë se 10 vjet.
Mahir al-Tabba nga Dhoma e Tregtisë së Gazës paralajmëroi se Gaza ishte në prag të një kolapsi ekonomik. Ai tha se papunësia në Rripin e Gazës ka arritur në 46 për qind, me rreth 250 mijë njerëz të papunë.
“Normat e varfërisë kanë arritur në 65 për qind dhe pasiguria ushqimore ka arritur në 50 për qind në vitin 2017”, tha al-Tabba.
Javën e kaluar, zyrtarë izraelitë të sigurisë paralajmëruan se ekonomia e Gazës ishte në prag të rrënimit të përgjithshëm.