Andrew Wasike Shimanyula
17 Nëntor 2021•Përditësim: 17 Nëntor 2021
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken mbërriti sot në Kenia në kuadër të udhëtimit të tij të parë në Afrikën Sub-Sahariane, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Vipi WaKenya! (Përshëndetje Kenias!) Gëzohem që jam në Kenia, një komb me të cilin kemi një miqësi të thellë dhe të gjatë. Mezi pres të takohem me zyrtarë qeveritarë dhe shoqërinë civile për të diskutuar interesat tona të përbashkëta dhe për të afirmuar partneritetin tonë strategjik", tha Blinken menjëherë pas mbërritjes së tij.
Sipas ambasadës amerikane, vizita e sekretarit Blinken në kryeqytetin Nairobi përqendrohet në avancimin e bashkëpunimit SHBA-Kenia për zgjidhjen paqësore të konfliktit në Etiopi, luftën kundër COVID-19, përmirësimin e qasjes në energji të pastër dhe mbrojtjen e mjedisit.
Departamenti i Shtetit tha se Blinken do të takohet me presidentin kenian, Uhuru Kenyatta dhe sekretaren e kabinetit për Punët e Jashtme, Raychelle Omamo.
Blinken kohët e fundit u tha gazetarëve në Washington DC se ai ka frikë se gjendja në Etiopi mund të eskalojë nëse lufta civile vazhdon, duke shtuar se armëpushimi dhe negociatat do të ishin rruga e duhur.
Udhëtimi i tij në Kenia do të nënvizojë mbështetjen e SHBA-së për një zgjedhje paqësore dhe gjithëpërfshirëse keniane në 2022.
Udhëtimi do të pasohet nga vizita në Nigeri dhe Senegal dhe do të përfundojë të shtunën.
Blinken në Nigeri do të takohet me presidentin e vendit, Muhammadu Buhari, zëvendës presidentin Yemi Osinbajo dhe ministrin e Jashtëm, Geoffrey Onyeama.
Udhëtimin e tij do të përfundojë në Dakar, Senegal pas takimit me presidentin Macky Sall dhe ministrin e Jashtëm Aissata Tall Sall për të riafirmuar partneritetin e ngushtë midis SHBA-së dhe Senegalit.