Dildar Baykan Atalay
12 Tetor 2023•Përditësim: 12 Tetor 2023
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përsëriti mesazhin e tij për mbështetje ndaj Izraelit para largimit të tij nga SHBA-ja për vizitën që do të zhvillojë sot në Izrael, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për gazetarët para hipjes në avion, Blinken tha se "Mesazhi ynë në emër të presidentit amerikan Joe Biden dhe popullit amerikan është i hapur dhe i qartë. SHBA qëndron pas Izraelit. Jemi pranë popullit izraelit. Ne jemi pas tyre sot, nesër dhe gjithmonë".
Blinken kritikoi aktet e Hamasit kundër izraelitëve dhe tha se "Që nga DEASH-i nuk kemi parë kaq të pamoralshëm". Pasi njoftoi se gjatë vizitës në Izrael do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe presidentin izraelit Isaac Herzog, Blinken tha: "Do të sigurojmë që Izraeli të posedojë çdo gjë që ka nevojë për t'u mbrojtur. Do të ofrojmë mbështetje edhe për popullin izraelit. Tashmë është nisur prej kohësh ndihma ushtarake në sasi të konsiderueshme".
Ai vuri në dukje se janë të fokusuar edhe për qytetarët amerikanë që ndodhen në rajon dhe se në lidhje me këtë deklaroi se deri më tani kanë humbur jetën 22 shtetas amerikanë dhe se janë të shqetësuar se kjo shifër mund të rritet.
- Konflikti Izraeli-Palestinë
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e sulmit gjithëpërfshirës të emërtuar "Tufani i Aksa-së" kundër Izraelit.
Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Është transmetuar se në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.300 izraelitë dhe se janë plagosur 3.300 të tjerë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 1.200 palestinezë ndërsa janë plagosur 5.339 të tjerë. Ndërkohë, në sulmet e forcave izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në sulmet e kolonëve hebrenj janë vrarë 29 palestinezë dhe janë plagosur rreth 150 të tjerë.