Ahmet Gürhan Kartal
06 Shkurt 2018•Përditësim: 06 Shkurt 2018
LONDËR (AA) – Agjencia Kombëtare britanike e Krimit (NCA) njoftoi se të paktën 21 persona janë arrestuar gjatë një operacioni të madh në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, që synon të godasë një bandë të trafikimit të qenieve njerëzore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, NCA tha se objektivi është një rrjet i dyshuar kriminal i akuzuar për kontrabandë me qindra emigrantë irakianë-kurdë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kjo goditje ishte nga më të mëdhatë të NCA-së që kur filloi operacionet në vitin 2013, me rreth 350 oficerë nga agjencia dhe partnerët e saj që marrin pjesë”, theksoi agjencia.
NCA tha se operacioni ndoqi “një hetim në një rrjet kurd të dyshuar për kontrabandim të njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar nga Franca, Belgjika dhe Hollanda”.
“Migrantët besohet se kanë paguar ndërmjet 5.000 paundë (6.980 dollarë) dhe 10.000 paundë (13.863 dollarë) për t’u kontrabanduar nga ana e grupit. Numri i oficerëve të vendosur sot nga Agjencia Kombëtare e Krimit , policia dhe agjencitë partnere pasqyrojnë shkallën dhe ashpërsinë e kriminalitetit të dyshuar”, tha Tom Dowdall, zëvendësdrejtor i NCA-së.
Dowdall tha se operacioni është një nga më të mëdhatë nga NCA dhe theksoi se, “Ne kemi identifikuar dhe ndërprerë një rrjet të rëndësishëm që dyshohet se ka kontrabanduar qindra emigrantë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka planifikuar të vazhdojë”.
“Kontrabandistët e qenieve njerëzore nuk mendojnë dy herë për të vënë jetën në rrezik, duke përdorur një sërë metodash të rrezikshme, ndërsa përpiqen të shmangin kontrollet kufitare. Është një krim i bazuar në shfrytëzimin e njerëzve të prekshëm dhe trajtimin e tyre si një mall në vend të qenieve njerëzore”, shtoi ai.
Agjencia njoftoi se operacioni i udhëhequr nga NCA erdhi në bashkëpunim të ngushtë me policinë franceze Aux Frontieres, Policinë Federale Belge dhe atë Hollandeze Kmar, pas një hetimi një vjeçar që çoi deri në goditjen.
Operacioni më i fundit u zhvillua në adresa të ndryshme në Cleveland, Northumbria, Sussex, ndërkohë 21 arrestimet nga Policia Metropolitane erdhën në adresat në të gjithë Verilindjen, Bregun Jugor dhe Londrën.
Në deklaratën e NCA-së theksohet se hetimi ishte pjesë e projektit Invigor, një fushatë e udhëhequr nga NCA për të trajtuar krimin e organizuar të emigracionit.