Elena Teslova
29 Dhjetor 2020•Përditësim: 29 Dhjetor 2020
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ai i Rusisë, Sergey Lavrov sot janë takuar për të diskutuar mbi çështjet ndërkombëtare dhe për të ndihmuar në përgatitjen e një takimi të presidentëve të të dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu u takua me homologun e tij rus në qytetin turistik rus Soçi, përpara një takimi të planifikuar të Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Ruso-Turk, i vendosur për t'u bashkë-kryesuar nga presidentët e tyre.
Lavrov theksoi se pavarësisht pandemisë së koronavirusit, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin mbeten në kontakt të ngushtë, këtë vit ata u takuan personalisht tre herë, morën pjesë në një video-konferencë në formatin Astana dhe patën shumë biseda telefonike.
"Vetëm kjo statistikë tregon se çfarë axhende e pasur mbush marrëdhëniet tona", tha Lavrov.
Ai shtoi se përveç përgatitjes për takimin presidencial, ai do të dëshironte të diskutonte ndodhitë në rajonet e Detit të Zi, Lindjes së Mesme dhe Kaukazit.
"Ne kemi një axhendë të pasur ndërkombëtare, zgjidhjen siriane, Libinë, pjesë të tjera të rajonit të Lindjes së Mesme dhe tema e Malësisë së Karabakut që u shfaq së fundmi", tha Lavrov.
"E vlerësojmë shumë dialogun tonë të besueshëm", shtoi ai.
Nga ana e tij, Çavuşoğlu theksoi se dialogu i ngushtë midis presidentit turk dhe atij rus dhe besimi i ndërsjellë midis tyre, nuk i shërben vetëm zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe por edhe lidhjeve rajonale.
Çavuşoğlu shprehu keqardhje se pandemia i mbajti të dyja vendet nga festimi i plotë i 100-vjetorit të marrëdhënieve të tyre dypalëshe, por shtoi se ishte i kënaqur për ta mbyllur vitin me një takim personal.