Riyaz ul Khaliq
28 Mars 2019•Përditësim: 29 Mars 2019
E ashtuquajtura Qeveri e Koresë së Veriut në ekzil ka marrë përgjegjësinë për “bastisjen” e ambasadës verikoreane në Spanjë që ndodhi muajin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas së përditshmes koreane "The Chosun Ilbo", bastisja në Ambasadën e Koresë së Veriut filloi në 22 shkurt, kur një anëtar i identifikuar si Adrian Hong Chang hyri në ambasadë dhe kërkoi që të takojë atasheun e tregtisë ndërsa anëtarë të tjerë u vërsulën brenda pas tij.
Grupi i identifikuar si “Free Joseon” nëpërmjet një postimi në faqen e tij të internetit mori përgjegjësinë se ka “reaguar ndaj një situate urgjente në ambasadën në Madrid”.
“Ata për disa orë i mbajtën peng të punësuarit në ambasadë dhe më pas u larguan duke marrë disa kompjuterë, telefona celularë dhe disa dokumente”, thuhet në gazetën koreane.
Bëhet e ditur se organizata ka shpërndarë informacione të vjedhura nga ambasada me Byronë Federale për Hetime (FBI) të SHBA-ve.
“Organizata (Free Joseon) ka ndarë disa informacione të rëndësishme me FBI-në, nën kushte të dakorduara të konfidencialitetit. Kjo informatë u shpërnda vullnetarisht dhe sipas kërkesës së tyre, jo sipas kërkesës sonë. Këto kushte me sa duket janë shkelur”, thuhet në kumtesë.
Duke pretenduar se incidenti nuk ishte sulm mbi ambasadën, grupi tha se ka reaguar ndaj një “situate urgjente”.
“Ne ishim të ftuar në ambasadë dhe në kundërshtim me raportimet, asnjëri nuk është ngulfatur apo rrahur. Me gjithë respektin ndaj vendit nikoqir, Spanjës, nuk janë përdorur armë”, thuhet gjithashtu në kumtesë.
Washingtoni zyrtar është distancuar nga grupi, të cilin formalisht e ka quajtur "Cheollima Civil Defense”, sipas propozimit të emrit për Korenë e Veriut pasi të arrijë qëllimin final për rrëzimin e regjimit aktual.
Në një kumtesë tjerët, organizata "Free Joseon" pretendon se “përbëhet nga anëtarë” si brenda ashtu edhe jashtë Koresë së Veriut dhe se “është e përkushtuar për t’i dhënë fund trashëgimisë së familjes Kim”.