Berk Kutay Gökmen
17 shtator 2026•Përditësim: 17 shtator 2026
Dy gra kanë ngritur padi federale kundër pasurisë së Jeffrey Epstein, duke pretenduar se fotografitë e tyre u gjetën në koleksionin e tij të gjerë me materiale pornografike me fëmijë, transmeton Anadolu.
Të identifikuara në dokumentet gjyqësore si Jane Doe dhe Amy, gratë pretendojnë se janë prej personave, fotografitë e të cilëve ndodheshin në koleksionin e Epsteinit dhe ishin informuar se fotografitë ndodhen në duart e hetuesve federalë.
Padia, e ngritur të martën në distriktin jugor të New Yorkut, kërkon statusin e padisë kolektive dhe dëmshpërblim të paspecifikuar si dhe i kërkon gjykatës të “hartojë dhe mbikëqyrë një program të vetëm dhe të koordinuar për identifikimin dhe njoftimin” e grave të tjera, imazhet e të cilave me përmbajtje seksuale “të paligjshme” ishin pjesë e koleksionit të Epsteinit.
“Një nga krimet më të tmerrshme, por shpesh të anashkaluara të Epsteinit ishte posedimi, transportimi, prodhimi dhe shpërndarja e pornografisë me fëmijë dhe/ose materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve (së bashku, ‘CSAM’) të fëmijëve të panumërt”, thuhet në padi.
“Duke filluar nga fillimi i viteve 1990 deri në vdekjen e tij në vitin 2019, Epstein, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, krijoi dhe mori pjesë në një komplot të gjerë për prodhimin e CSAM-it, që zgjati për dekada”, thuhet në padi.
Padia pretendon se Epstein mbante një “libër modelesh” që përmbante “imazhe me përmbajtje seksuale të fëmijëve” në një kasafortë të mbyllur. Kundër Epsteinit nuk u ngritën akuza për CSAM-in. Sipas padisë, Epstein dhe bashkëpunëtorë të paemëruar thanë se imazhet “ishin për qëllime të zhvillimit të modeleve fëmijë për Victoria's Secret".
“Kjo padi e mban pasurinë e Jeffrey Epstein përgjegjëse për një krim që nuk është trajtuar kurrë plotësisht në vetvete”, tha Hillary Nappi, avokate në AWK Survivor Advocate Attorneys.
Si të paditur, në cilësinë e bashkë-ekzekutorëve të pasurisë së Epsteinit, janë përfshirë avokati Darren Indyke dhe kontabilisti Richard Khan. Avokati i tyre, Daniel Weiner nuk pranoi të komentojë.
Epstein vdiq nga vetëvrasja në vitin 2019 ndërsa priste gjykimin për akuzat për trafikim seksual.