Berk Kutay Gökmen
10 korrik 2026•Përditësim: 10 korrik 2026
Dy pilotë ushtarakë kinezë kanë humbur jetën gjatë stërvitjeve muajin e kaluar, raportoi sot gazeta "South China Morning Post", duke cituar mediat lokale dhe njoftime zyrtare të autoriteteve, transmeton Anadolu.
Pekini, i cili rrallëherë bën publike humbjet në radhët e ushtrisë, nuk ka komentuar zyrtarisht për vdekjen e tyre, ndërsa mbetet e paqartë nëse të dy pilotët kanë humbur jetën në të njëjtin incident.
Njëri prej pilotëve, Fang Ming, 38 vjeç, ishte kolonel i lartë dhe komandant taktik në njësinë e Aviacionit Detar të Komandës së Teatrit Jugor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Fang, nga qarku Lujiang në provincën Anhui, i është bashkuar ushtrisë në vitin 2006, sipas mediave shtetërore. Një video e publikuar të hënën nga qeveria e Lujiangut njoftoi se ai ka humbur jetën gjatë një stërvitjeje fluturimi më 10 qershor.
Më shumë se 200 persona, përfshirë pjesëtarë të njësisë së tij, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të Fangut më 3 korrik, njoftuan autoritetet lokale.
Departamenti i Punës Politike i njësisë së Aviacionit Detar të Komandës së Teatrit Jugor e shpalli Fangun dëshmor. Ai kishte marrë një dekoratë të klasit të tretë në vitin 2018 dhe një dekoratë të klasit të dytë për gatishmëri luftarake dhe stërvitje në vitin 2022.
Piloti tjetër, togeri i parë Shi Shaoyong, 25 vjeç, i Marinës së Ushtrisë Çlirimtare Popullore, gjithashtu ka humbur jetën më 10 qershor gjatë shërbimit në Komandën e Teatrit Jugor. Nuk është e qartë nëse ai dhe Fang ndodheshin në të njëjtin avion ose në të njëjtin mision.
Sipas një fotografie të mbishkrimit në gurin e varrit të tij, të publikuar të shtunën nga autoritetet e vendlindjes së tij, Shi ka humbur jetën gjatë një misioni stërvitor fluturimi natën.
Në mbishkrim thuhet se Shi, nga qarku Yishui në provincën Shandong, shërbente në Njësinë 91911 të divizionit të Aviacionit Detar të Komandës së Teatrit Jugor.