Gülbin Yıldırım
06 Dhjetor 2018•Përditësim: 06 Dhjetor 2018
WASHINGTON (AA) - Emetimet globale të dioksidit të karbonit janë rritur në mënyrë të konsiderueshme dhe pritet që këtë vit të arrijnë nivel rekord, sipas raportit të ri të shkencëtarëve të publikuar të mërkurën në mbrëmje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas tre viteve me pothuajse pa kurrfarë rritje, pritet që emetimet e dioksidit të karbonit nga derivatet fosile dhe industrisë të rriten me 2,7 për qind në vitin 2018, sipas raportit "Global Carbon Project", të partnerit kërkimor të programit botëror për studim të ndryshimeve klimatike.
Raporti u publikua në momentin kur përfaqësuesit e mbi 200 vendeve janë takuar në Poloni në konferencën vjetore të Kombeve të Bashkuara (OKB) për ndryshimet klimatike, ku do të bisedojnë për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015.
Ulja e emetimit të dioksidit të karbonit është premtimi më i rëndësishëm i marrëveshjes historike, qëllimi i së cilës është lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe ruajtja e rritjes globale të temperaturës në këtë shekull nën 2 gradë Celsius.
Sipas raportit të emetimeve globale, dominon Kina me pjesëmarrje prej 27 për qind, pasojnë SHBA-të me 15 për qind, si dhe Bashkimi Evropian (BE) dhe India me 7 për qind.
Vlerësohet se emetimet e derivateve fosile në vitin 2018 në Kinë do të rriten me 4,7 për qind, SHBA 2,5 për qind, Indi 6,3 për qind, ndërsa BE-ja shënon ulje me 0,7 për qind.