Kemal Karadağ,Barış Gündoğan
24 Nëntor 2017•Përditësim: 24 Nëntor 2017
ANKARA (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka paditur për dëmshpërblim kreun e Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Kılıçdaroğlu, për fjalët e deklaruara lidhur me të dhe familjen e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Avokati i Erdoğanit, Ahmet Özel, tha se në padinë e hapur në një gjykatë në Stamboll, është cituar deklarata e kreut të partisë opozitare, Kemal Kılıçdaroğlu, në mbledhjen e grupit parlamentar më 21 nëntor.
"I dashur Erdoğan, a e di se fëmijët tuaj, dhëndërri, miku, vëllai dhe ish-sekretari personal i juaji kanë dërguar miliona dollarë në një kompani në parajsat tatimore jashtë vendit?", është shprehur Kılıçdaroğlu, rikujtoi Özel.
Özel tha se ndaj klientit të tij është bërë shpifje, duke e asocuar atë me dokumente të pavërteta të krijuara nga persona të paidentifikuar dhe të shpërndara në internet.
Avokati i presidentit Erdoğan potencoi Kılıçdaroğlu ka ofenduar klientin e tij.
"I padituri dëshiron të japë deklarata për kompani, investime dhe shuma të imagjinuara nga vetëm ai, sikur kompanitë dhe shifrat astronomike për të cilat ai flet të jenë të vërteta", tha Özel.
Ai e quajti këtë pretendim si shpifje e cila synon të diskreditojë presidentin.
"Sipas ligjit tonë, nëse dikush akuzon dikë, ai duhet ta dëshmojë atë. Andaj, i padituri duhet të dëshmojë me dokumente se cili fëmijë, cili vëlla dhe cili mik sa milionë dollarë, si dhe ku i ka transferuar ato", shtoi Özel.
Nga Kılıçdaroğlu është kërkuar dëmshpërblim prej një milion e 500 mijë lirash, prej të cilave 500 mijë në emër të presidentit Erdoğan, ndërsa një milion për fëmijët dhe të afërmit e tjerë të tij.