Ekip
30 Korrik 2020•Përditësim: 31 Korrik 2020
Këtë vit tregu i kafshëve i rrethit Meerut në shtetin më të populluar verior të Indisë, Uttar Pradesh është i shkretë.
Një ditë para festës së Bajramit, tregu më i madh i kafshëve në Uttar Pradesh perëndimor duhet të jetë i gjallë me blerës dhe shitës.
Por për shkak të kufizimeve të vendosura nga administrata në funksion të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), tregtarët e kafshëve kanë pësuar humbje të mëdha dhe muslimanët po ashtu e kanë të vështirë të blejnë kafshë kurbani.
Farooq Khan në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tregon se ka 10 vjet që shet kafshë në tregun e kafshëve të Meerut.
"Kam pësuar humbje të konsiderueshme këtë fundjavë. Ekziston kufizim në shitjen e bagëtive në tregje, si dhe në grumbullime të mëdha. Njerëzit po shesin në mënyrë të fshehtë kafshët e tyre me çmime të kota. Dëshiroja çmime të përshtatshme për kafshët e mia gjatë festës së Bajramit. Por kjo tani është e pamundur", tha ai.
Kurban - Bajrami, i njohur gjithashtu si Bakrid në Indi, do të festohet më 1 gusht kur muslimanët therin kafshët. Ata blejnë dhi ose kafshë tjera sipas mundësisë dhe statusit të tyre dhe e ofrojnë atë. Por shumë nuk do të jenë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë fetare këtë vit për shkak të pandemisë.
Jawed Qureshi, i cili vjen çdo vit nga Rampur për të shitur dhi në Meerut, tha se ai dikur ka shitur dhi me vlerë rreth 200.000 Rs (2.900 dollarë) dhe siguronte një fitim të madh, por tani nuk ka qenë në gjendje të shesë kafshët e tij.
"Tregtarët e kafshëve për kurban janë në telashe të mëdha. Gëzimi i kësaj feste të shenjtë është zbehur", tha Javed për AA.
- "Do të jetë një Bajram i zymtë për muslimanët"
Tregjet e kafshëve nuk janë hapur në Meerut apo pjesë të tjera të vendit. Autoritetet, përfshirë në kryeqytetin New Delhi, nuk kanë lejuar tregjet e kafshëve dhe shitja dhe blerja e kafshëve është e ndaluar në shumicën e vendeve. Kufizimet e qeverisë për blerjen dhe shitjen e kafshëve për kurban ka shkaktuar vështirësi për miliona fermerë delesh dhe dhish, të cilët varen nga tregtia, si dhe për blerësit e ardhshëm.
Komuniteti musliman nuk është duke marrë kafshët që dëshirojnë për kurbanë. Aslam Wadood, i cili drejton një dyqan rrobash në Bhopal në shtetin qendror të Madhya Pradesh, tha se "shitja e kafshëve fillon një muaj para Bajramit. Kafshët shiten në disa vende në të gjithë Bhopal por këtë vit tregjet e kafshëve nuk janë lejuar".
"Këtë vit unë nuk mund të jem në gjendje të ther kurban pasi nuk mund ta blej një", shtoi ai.
Flijimi i kafshëve nuk është thjesht një ritual. Çdo vit gjatë festës, muslimanët e mbarë botës therin kafshë për të reflektuar gatishmërinë e profetit Ibrahim për të sakrifikuar djalin e tij, Ismailin, për hir të Allahut.
Ayaan Ali, një punonjës banke në Bhopal tha se: "Në funksion të rritjes së rasteve me COVID-19, qeveria vendosi izolim 10 ditorë në distrikt nga 25 korriku deri më 3 gusht. Kështu që do të jetë një Bajram i zymtë për muslimanët. Këto janë kohë shumë sprovuese për të gjithë ne. Po përpiqem të blej një dhi por nuk kam pasur sukses deri më tani".
- Të hiqet rregulli "pesë persona në një xhami"
Myftiu Ashraf Usmani, zëdhënës i seminarit islam Darul Uloom Deoband, kërkoi që lutjet të lejohen në xhami me distancën e duhur sociale për Bajram. Vendosja e rregullit "pesë persona në një xhami" duhet të hiqet, tha Usmani.
Ai po ashtu bëri thirrje për rregullime gjatë therjes së kafshëve dhe heqjen e ndalimit të shitjes së dhive.
Tregjet dhe qendrat tregtare po ashtu duhet të qëndrojnë të hapura për festën, tha zëdhënësi.
Derisa festa do të bjerë të shtunën, Usmani tha se qeveria duhet të zhvendosë mbylljen javore në të martën dhe të mërkurën, në vend të shtunën dhe të dielën.
Qeveria e shtetit Uttar Pradesh ka nxjerrë udhëzime mbi therjen e kafshëve në funksion të pandemisë dhe muajit të shenjtë Hindu të Sawan.
Do të ketë ndalim për therjen e kafshëve në hapësirë të hapur, si dhe transportimin e mishit nëpër lokalitete jomuslimane.
Drejtori i përgjithshëm i policisë u ka kërkuar muslimanëve që të respektojnë ndjenjat e të tjerëve dhe tha se në të kaluarën ka pasur incidente gjatë therjes së gjedhëve, kështu që duhet pasur kujdes të veçantë për të siguruar që kafshët që konsiderohen të shenjta për hindusët të mos theren.