İslam Uddin
14 Janar 2020•Përditësim: 14 Janar 2020
Vullkani Taal në Filipine ka prekur mbi 30 mijë njerëz ndërsa autoritetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme në provincën Batangas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve në Filipine PNA, gjithsej 6.891 familje apo 30.423 persona deri më tani janë prekur nga shpërthimi i vullkanit Taal.
Autoritetet lokale kanë krijuar 118 qendra të evakuimit ku deri më tani janë vendosur 18.187 persona.
Sipas Këshillit Kombëtar të menaxhimit dhe uljes së rrezikut nga katastrofat, personat e prekur kanë mbërritur nga 22 qytete të provincës Batangas.
Në raportimin e PNA-së thuhet se këshilli akoma nuk ka publikuar ndonjë shifër në lidhje me viktimat apo dëmet e shkaktuara.
Në rajonin e Taal u regjistruan gjithsej 286 tërmete vullkanike, duke filluar nga magnituda 1,2 deri në 4,1.
Ndërkohë, autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në provincën e prekur Batangas ndërsa banorët janë ende duke ikur nga rajoni.
Nën gjendjen e jashtëzakonshme, qeveria provinciale mund të përdorë mbi 1 milion dollarë fonde emergjente për të ndihmuar njerëzit e prekur.