Islam Uddin
31 Tetor 2025•Përditësim: 31 Tetor 2025
Samiti i udhëheqësve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) filloi sot në qytetin bregdetar Gyeongju të Koresë së Jugut, me qëllimin kryesor promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes në mes të sfidave të vazhdueshme të tregtisë globale, raporton Anadolu.
Në samitin dy-ditor, të kryesuar nga presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, marrin pjesë presidenti kinez Xi Jinping, kryeministri japonez Sanae Takaichi, kryeministri australian Anthony Albanese, kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, presidenti indonezian Prabowo Subianto dhe presidenti filipinas, Ferdinand Marcos Jr.
Në takim po marrin pjesë edhe udhëheqës të tjerë nga ekonomitë anëtare të APEC-ut, përfshirë kryeministrin e Zelandës së Re Christopher Luxon, presidentin vietnamez Luong Cuong dhe kryeministrin kanadez Mark Carney.
Presidenti Lee u takua për herë të parë me homologun e tij kinez Xi që nga marrja e detyrës në qershor të këtij viti.
Duke shënuar herën e parë që Koreja e Jugut pret takimin e udhëheqësve të APEC-ut në dy dekada, presidenti Lee gjatë fjalimit tha se Seuli synon të forcojë bashkëpunimin midis ekonomive anëtare për të arritur prosperitet të përbashkët dhe zhvillim të qëndrueshëm.
"Bashkëpunimi dhe solidariteti janë rruga më e sigurt për një të ardhme më të mirë", njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap. "Ne të gjithë ndodhemi në një pikë kthese kritike ndërsa rendi ndërkombëtar po i nënshtrohet një transformimi të shpejtë", shtoi ai.
Axhenda e këtij viti përfshin diskutime mbi integrimin ekonomik rajonal dhe bashkëpunimin tregtar.
Koreja e Jugut synon të sigurojë rezultat të bazuar në konsensus përmes "Deklaratës së Gyeongju"-s të propozuar, duke theksuar prioritetet e saj kryesore, përfshirë inteligjencën artificiale (IA) dhe sfidat demografike.
Gjatë dy sesioneve të samitit, udhëheqësit do të shqyrtojnë rekomandimet nga ministrat e jashtëm dhe të tregtisë së APEC-ut mbi rritjen e prosperitetit rajonal duke forcuar bashkëpunimin e zinxhirit të furnizimit, duke avancuar transformimin dixhital dhe duke promovuar rritjen gjithëpërfshirëse në të gjithë rajonin e Azi-Paqësorit.