Bekim Laci
09 Dhjetor 2018•Përditësim: 10 Dhjetor 2018
KALIFORNI (AA) - Akoma pa u shfaqur në kinema, filmi “Avengers: Endgame”, tashmë ka thyer një rekord, atë të shikueshmërisë së trajlerit në 24 orët e para, shkruan Anadolu Agency (AA).
Filmi i cili është një vazhdimësi e “Avengers: Infinity War”, që kishte një buxhet prej dy miliardë dollarë, në 24 orët e para është parë nga një numër rekord prej 289 milionë shikues.
Kjo nuk ka kaluar pa u komentuar nga studioja filmike Marvel Studios me seli në Kaliforni.
“Fansave më të mëdhenj në botë, ju faleminderit që jeni këtu që nga fillimi deri në Endgame, duke e bërë trajlerin më të shikuar në histori me 289 milionë shikime në 24 orët e para!”, thuhet në profilin zyrtar të Marvel Studios në Twitter.
Rekordi paraprak është mbajtur nga filmi Infinity war, me 230 milionë shikime në 24 orët e para. Trajleri i Avengers: Endgame, shfaq superheronjtë më të dashur të Marvelit siç janë Robert Downey Jr si Iron Man, Chris Evans, si Captain America dhe Paul Rudd si Ant-Man.