Şeyma Erkul Dayanç
10 Prill 2026•Përditësim: 10 Prill 2026
Finlanda po shqyrton forma të reja bashkëpunimi në lidhje me armët bërthamore sipas një raporti të përditësuar të politikës së jashtme dhe të sigurisë, transmeton Anadolu.
Kryeministri finlandez Petteri Orpo tha se e diskutoi sot përditësimin me udhëheqësit e partive parlamentare, duke shtuar se raporti do t'i paraqitet parlamentit javën e ardhshme.
Sipas draftit të siguruar nga e përditshmja finlandeze "Ilta-Sanomat" (IS), qeveria synon të heqë kufizimet ligjore mbi armët bërthamore, duke ruajtur një deklaratë se armët bërthamore nuk do të vendosen në Finlandë në kohë paqeje.
Ai thotë se parandalimi i NATO-s përfshin forcat konvencionale, mbrojtjen nga raketat dhe armët bërthamore ndërsa parandalimi i saj bërthamor bazohet kryesisht në armët bërthamore të SHBA-së të vendosura në Evropë.
Orpo shton se kjo përforcohet nga forcat bërthamore të pavarura të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës dhe se NATO mbetet aleancë bërthamore për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore.
Drafti gjithashtu thotë se Finlanda është plotësisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe merr pjesë në punën e parandalimit bërthamor. Ai shton se Finlanda nuk do të bëhet shtet me armë bërthamore sipas Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore dhe do të mbajë dialog të ngushtë me aleatët.
Finlanda është gati të shqyrtojë forma të reja bashkëpunimi dhe do të përcaktojë qëndrimin e saj mbi parandalimin bërthamor në mënyrë të pavarur. Në fillim të marsit, ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen paraqiti propozim qeveritar për të ndryshuar legjislacionin për të hequr ndalimin absolut të armëve bërthamore nga ligji finlandez.
Sipas propozimit, importimi i armëve bërthamore në Finlandë mund të lejohet nëse lidhet me mbrojtjen ushtarake, mbrojtjen kolektive të NATO-s ose bashkëpunimin mbrojtës, sipas "IS".
Opozita thuhet se e kritikoi propozimin, duke argumentuar se nuk ishte përgatitur përmes një procesi parlamentar që përfshin të gjitha palët, siç është zakon në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë.