Dilara Zengin Okay
13 Korrik 2022•Përditësim: 14 Korrik 2022
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka reduktuar edhe një herë parashikimet e rritjes për ekonominë e SHBA-së për këtë vit, duke ulur pritshmërinë e tij për vitin 2022 nga 2,9 për qind në 2,3 për qind dhe nga 1,7 për qind në 1 për qind për vitin 2023, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e bërë nga FMN-ja thuhet se ka përfunduar konsultimi i nenit 4 për ekonominë e SHBA-së. Në deklaratë theksohet se SHBA-ja u rikuperua shpejt nga tronditja e shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
Duke theksuar se rikuperimi i shpejtë i kërkesës, rritja e çmimeve të energjisë dhe shkurtimet e vazhdueshme të ofertës globale çuan në një përshpejtim të ndjeshëm të inflacionit, thuhet se presionet mbi pagat dhe çmimet ishin me bazë të gjerë dhe u përhapën me shpejtësi në ekonomi.
Në deklaratë thuhet se ekonomia amerikane pritet të rritet me 2,3 për qind këtë vit dhe 1 për qind vitin e ardhshëm.
FMN në qershor uli pritshmërinë e rritjes për ekonominë amerikane këtë vit nga 3,7 për qind në 2,9 për qind dhe parashikimin për vitin 2023 nga 2,3 për qind në 1,7 për qind.
Në deklaratë thuhet se pritshmëria për rritje të ekonomisë së vendit për vitin 2024 është rritur nga 0,8 për qind në 1,2 për qind dhe parashikimi për vitin 2025 është rritur nga 1,7 për qind në 1,8 për qind.
Në deklaratën e FMN-së, theksohet se ekonomia e SHBA-së pritet të rritet me 2,1 për qind për vitin 2026 dhe 1,9 për qind për 2027.