Sena Güler
20 Nëntor 2019•Përditësim: 21 Nëntor 2019
Forcat turke të sigurisë kanë kapur qindra raketa dhe dhjetëra pajisje të improvizuara shpërthyese gjatë aktiviteteve të kërkimit dhe spastrimit në veri të Sirisë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Komandot tanë që kanë kryer operacione kërkimi dhe spastrimi në Ras al-Ayn, kanë konfiskuar 683 raketa dhe 93 mjete të improvizuara shpërthyese në një ndërtesë të vetme, e cila ishte kthyer në një objekt për prodhimin e armëve", tha ministria në Twitter.

Rrethi Ras al-Ayn që ndodhet në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë u çlirua nga terroristët gjatë operacionit antiterrorist të Turqisë, "Burimi i Paqes" që u nis më 9 tetor.
Operacioni synon të eliminojë elementet terroriste të YPG/PKK nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat me qëllim të sigurimit të kufijve të Turqisë, për të ndihmuar për kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe sigurimin e integritetit territorial të Sirisë.
Më 17 tetor, Ankaraja dhe Washingtoni arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin e Turqisë “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë për 120 orë, që të lejojnë tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e sigurt e planifikuar.

Më 22 tetor, Turqia arriti një marrëveshje me Rusinë për të lejuar grupin terrorist YPG/PKK të tërhiqet nga zona e sigurtë.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.