Şeyma Erkul Dayanç
22 Prill 2026•Përditësim: 22 Prill 2026
Zëvendësministrja franceze e Mbrojtjes, Alice Rufo tha sot se integriteti territorial i Libanit duhet të respektohet plotësisht, duke shtuar se respektimi i tij nuk do të thotë pushtim i territorit të tij, transmeton Anadolu.
"Respektimi i integritetit të Libanit nuk do të thotë pushtim i territorit të tij", tha Rufo për "France Inter", mes tensioneve përgjatë kufirit Izrael-Liban. Ajo tha se një zgjatje e armëpushimit do të jetë pozitive, duke theksuar rëndësinë e dhënies së kohës për negociata.
"Zgjatja e armëpushimit është një gjë e mirë; duhet të respektohet", tha Rufo duke shtuar se më shumë kohë për bisedime do të përmirësojë shanset për të arritur një marrëveshje të fortë. Ajo tha se negociatat nuk duhet të nxitohen, duke paralajmëruar se afatet e shkurtra kohore rrezikojnë kthim të shpejtë në armiqësi.
"Përvoja tregon se negociatat janë komplekse dhe kërkojnë kohë", tha Rufo duke iu referuar proceseve të kaluara diplomatike që përfshijnë Iranin dhe partnerët evropianë. Zv/ministrja e Mbrojtjes tha se Franca është e gatshme të mbështesë procesin diplomatik të udhëhequr nga autoritetet libaneze, veçanërisht përpjekjet që synojnë të sigurojnë monopolin e shtetit mbi armët, përfshirë në jug të Libanit.
Ajo mbështeti negociatat e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Libanit, duke i përshkruar hapat e fundit nga autoritetet libaneze si "të guximshme". Rufo tha se Franca u ka përcjellë mbështetje zyrtarëve libanezë dhe forcave të armatosura, duke shtuar se qëllimi është të ndihmojë në rivendosjen e sovranitetit të plotë dhe të sigurojë respektimin e integritetit të Libanit.
Të premten hyri në fuqi armëpushimi 10-ditor midis Libanit dhe Izraelit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha të nesërmen se Izraeli synon të ruajë kontrollin mbi të gjitha zonat që pushtoi në jug të Libanit gjatë ofensivës së tij të fundit. Që nga 2 marsi, sulmet izraelite ndaj Libanit kanë vrarë rreth 2.300 njerëz, kanë plagosur mbi 7.500 dhe kanë zhvendosur më shumë se 1 milion, sipas shifrave zyrtare.