Fatma Esma Arslan
02 Qershor 2016•Përditësim: 03 Qershor 2016
PARIS (AA) - Valës së grevës të shkaktuar nga projekt-ligji i ri i punës në Francë, u janë bashkangjitur edhe pilotët e kompanisë ajrore franceze Air France, e cila mund të ndikojë negativisht edhe te turistët që planifikojnë të vizitojnë vendin gjatë Kampionatit të ardhshëm Evropian të Futbollit, raporton Anadolu Agency (AA).
Udhëheqësitë e sindikatave SNLP, Spaf dhe Alter, tre sindikatave më të mëdha të pilotëve të kompanisë Air France, kanë paralajmëruar se do të hynë në grevë nga 11 deri 14 qershor.
Dy ditë më parë në grevë hynë edhe punonjësit e hekurudhave franceze (SNCF), kurse në grevë kanë hyrë edhe një numër sektorësh të tjera në vend, duke përfshirë edhe sektorin e energjisë.
Drafti i ri i Ligjit të Punës, të cilin qeveria ia dorëzoi parlamentit francez nga muaji mars ishte temë e debatit të nxehtë në vend, kurse pakënaqësinë me reformat e propozuara, punëtorët e shfaqin përmes grevës masive në dy javët e kaluara.
Janë shkaktuar probleme të shumta nga greva, përfshirë edhe mungesën e karburantit në pikat e karburantit, kjo mund të ketë ndikim negativ në Kampionatin Evropian të Futbollit që do të mbahet në Francë nga 10 qershori deri më 10 korrik.
Drafti i diskutueshëm do të jetë në axhendën e Senatit në seancën e planifikuar për 8 qershor, kurse sindikatat kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë nga greva derisa qeveria të tërheqë propozimin nga procedura parlamentare.