Ekip
11 dhjetor 2020•Përditësim: 12 dhjetor 2020
Një prezantues i lajmeve ka ndërruar jetë në kryeqytetin Kabul të Afganistanit nën rrethana të dyshimta vetëm një ditë pasi u qëllua për vdekje një gazetare, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas policisë së Kabulit, Fardin Amini humbi jetën për shkak të gjakderdhjes së tepërt pas mbërritjes në spital sot në mëngjes. Zëdhënësi i policisë, Firdaus Faramarz, tha se një ekip i patrullimit të policisë gjeti gazetarin e ri me një plagë të thellë në qafë.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Tariq Arian, në një deklaratë të shkurtër për mediat tha se hetimi fillestar sugjeron se gazetari bëri vetëvrasje.
Hameeda Madadai, një kolege e prezantuesit të lajmeve Amini, për AA tha se "gazetari i vrarë ishte introvert".
"Ai ishte një profesionist shumë i mirë dhe punëtor. Vdekja e tij është një tragjedi", tha ajo.
Sipas medias lokale Sayhoon News, Amini po voziste kur mori një telefonatë. Më vonë, ai u drejtua me makinë në një vend të braktisur në pjesën veriore të qytetit, ku më pas u gjet me fytin e prerë nga një objekt i mprehtë.
Një ditë më parë, gazetarja afgane, Malalai Maiwand, u vra me armë zjarri nga sulmues të panjohur në provincën lindore Nangarhar. Incidenti ndodhi kur Maiwand ishte drejtuar drejt zyrës së saj me një automjet së bashku me shoferin e saj në kryeqytetin e provincës Jalalabad. Gazetarja dhe shoferi vdiqën në vend, ndërsa sulmuesit e armatosur u larguan nga vendi i sulmit.
Sulmi i tretë i këtij lloji brenda një muaji ka shkaktuar tronditje të gazetarëve afganë.