Büşra Nur Bilgiç Çakmak
02 Shtator 2020•Përditësim: 02 Shtator 2020
Gjermania ka gjetur prova "të qarta" se agjent nervor është përdorur për të helmuar liderin e opozitës ruse Alexey Navalny muajin e kaluar, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në analizat e kryera nga një laborator i posaçëm ushtarak gjerman, u gjetën shenja të "një agjenti nervor kimik nga grupi Novichok", ka thënë në një deklaratë Steffen Seiber, zëdhënësi i kancelares Angela Merkel.
Agjenti nervor Novichok u përdor gjithashtu në helmimin e vitit 2018 të ish-spiunit sovjetik Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury në një sulm nga inteligjenca ruse, sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Mjekët gjermanë në klinikën ku po trajtohet udhëheqësi i opozitës ruse njoftuan javën e kaluar se Navalny ishte helmuar.
Navalny aktualisht është në kujdes intensiv në një gjendje kome të induktuar. Gjendja e tij është e rëndë, por nuk ka rrezik akut për jetën e tij, thonë mjekët.
Navalny, 44 vjeç, një kritik i zhurmshëm i presidentit rus Vladimir Putin, u përkeqësua më 20 gusht në një fluturim nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë. Aeroplani bëri ulje emergjente në Omsk dhe Navalny u dërgua me urgjencë në një spital, ku kaloi dy ditë para se të dërgohej në Berlin për mjekim.
Duke e komentuar incidentin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov më herët ka thënë se janë duke pritur rezultatet e provave përpara se të fillojnë një hetim.