Beyza Binnur Dönmez
04 qershor 2026•Përditësim: 04 qershor 2026
Një gjykatë holandeze ka refuzuar të bllokojë dy koncertet e ardhshme të reperit amerikan Ye, i njohur më parë si Kanye West, duke i hapur rrugën mbajtjes së tyre në Holandë, transmeton Anadolu.
Çështja ishte ngritur nga Këshilli Qendror Hebraik (CJO), i cili argumentoi se prania e reperit Ye mund të kërcënojë rendin publik dhe të rrisë ndjenjën e pasigurisë tek komuniteti hebre në Holandë.
Megjithatë, siç raporton Dutch News, gjykata e Amsterdamit vendosi se nuk ka gjetur prova që vizita e reperit përbën një kërcënim konkret për rendin publik dhe se gjatë koncerteve të tij të fundit në vende të tjera nuk janë raportuar deklarata antisemitike, sipas raportit.
Koncertet, të planifikuara për më 6 dhe 8 qershor në stadiumin GelreDome në Arnhem, do të zhvillohen sipas planit.
Sipas Dutch News, autoritetet thanë se do të monitorojnë nëse reperi bën ndonjë deklaratë të papërshtatshme gjatë qëndrimit të tij në vend.
Muajin e kaluar, shumica e deputetëve në parlament mbështetën një mocion që i bënte thirrje qeverisë t’i ndalonte hyrjen reperit në Holandë. Megjithatë, ministri për Azilin dhe Migracionin, Bart van den Brink, tha se nuk ekzistojnë baza ligjore për një veprim të tillë.
Koncerte të artistit janë bllokuar ose anuluar më parë në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Poloni dhe Itali.