12 Shtator 2017•Përditësim: 13 Shtator 2017
BRUKSEL (AA) - Hasan Esen / Şerife Çetin
Pavarësisht se Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED), refuzoi padinë e hapur kundër pranimit të detyrueshëm të refugjatëve në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ende vazhdojnë tensionet në lidhje me zbatimin e vendimit mes paditësve Hungarisë dhe Sllovakisë si dhe vendeve të tjera anëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
GJED e cila është gjykata më e lartë e BE-së me seli në Luksemburg më 6 shtator dha vendimin e padisë së hapur nga Sllovakia dhe Hungaria kundër kuotës së BE-së për refugjatët.

Gjykata e cila ka refuzuar padinë e hapur kundër shpërndarjes së detyruar në mesin e vendeve anëtare në mënyrë të përkohshme për refugjatët, në këtë mënyrë ajo ka forcuar pozicionin e Komisionit Evropian (KE) kundër vendeve të cilat nuk pranojnë refugjatët.
Teksa ka nisur "procedurën e shkeljes" për Hungarinë, Poloninë dhe Çekinë të cilat veprojnë në kundërshtim me planin e njoftuar dy vite më parë në lidhje me shpërndarjen në vendet e tjera anëtare të 160 mijë refugjatëve që ndodhen në Itali dhe Greqi, KE ka njoftuar raportet në lidhje se cili vend dhe sa refugjatë ka pranuar deri më sot në kuadër të planit.
Nga 160 mijë refugjatë vetëm 27.695 prej tyre janë pranuar
Sipas raportit derisa nga 160 mijë refugjatë vetëm 27.695 prej tyre janë pranuar, Hungaria dhe Polonia nuk kanë pranuar asnjë refugjat në kuadër të planit.
Çekia ka pranuar 12 refugjatë, Sllovakia 16, dhe përveç Finlandës, Irlandës, Lituanisë, Luksemburgut, Maltës dhe Suedisë të gjitha vendet e tjera anëtare kanë mbetur nën 50 përqind të kuotës së detyruar.
Edhe vendet e mëdha nuk kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre
Gjermania e cila duhej të pranonte 27.536 refugjatë ka pranuar 7.852 duke arritur kuotën në 28 përqind, ndërsa Franca nga 19.714 refugjatë ka pranuar vetëm 4.278 duke arritur në kuotën 21 përqind.
Në këtë mënyrë zbatimi i planit i cili do të përfundojë më 26 shtator nuk ka mundur ta shpëtojë as vendimi i gjykatës i cili është dhënë 20 ditë më parë. Vendet paditëse dhe të tjerat që mbështesin këto vende nëpërmjet deklaratave kanë bërë të ditur se nuk do të njohin këtë vendim.
"Askush nuk mund të pranohet pa miratimin e Hungarisë"
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto duke kundërshtuar vendimin e gjykatës tha se "Vendimi në lidhje me sistemin e kuotave është i papërgjegjshëm dhe i papranueshëm. Lufta e vërtetë tani fillon. Do të ndërmerren të gjitha hapat ligjorë që askush të mos pranohet në vend pa miratimin e Hungarisë".
Ndër të tjera duke mbrojtur idenë e tij se vendimi rrezikon të ardhmen e të gjithë Evropës dhe se është në kundërshtim me interesat e kombeve të Evropës dhe të hungarezëve, Szijjarto tha gjithashtu se "Në Gjykatën Evropiane është marrë vendim politik. Politika ka përdhunuar ligjin e Evropës. Përkundër kushtetutës vendimi tregon se KE është mbi vendet anëtare. Kjo është e papranueshme. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur vendin".
"Do të punojmë që të mos detyrohemi të pranojmë refugjatët"
Edhe kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico tha se "Sllovakia respekton vendimin e GJED-së por se qeveria nuk do të ndryshojë qëndrimin që ajo ka mbajtur deri më sot. Ai tha se do të vazhdojnë punimet që të mos detyrohen të pranojnë refugjatët.
Kryeministrja e Plonisë, Beata Szydlo pasi ka bërë të ditur se vendi i saj është i lidhur me BE-në dhe se përmbush përgjegjësitë e saj ajo theksoi se Polonia nuk do të ndryshojë politikën e saj për refugjatët.
"Këtë e prisnim. Ishim të sigurtë se do të merret një vendim i tillë por kjo në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë në politikën që qeveria e Polonisë ndjek për refugjatët. Mendoj edhe Grupi i Vishegradit (Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia) nuk do ta ndryshojnë qëndrimin", tha Szydlo.
"Vendimi nuk do të hyjë në fuqi"
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczykowski duke mbrojtur idenë e tij se vendimi për kuotat e detyrueshme është marrë në mënyrë të jashtëligjshme në takimin e Ministrave të Brendshëm të BE-së dy vite më parë tha se "Siguria e Polonisë është më e rëndësishme se vendimet e papërgjegjshme të marra në lidhje me refugjatët nga institucioneve evropiane. Për këtë arsye vendimi i GJED-së nuk do të hyjë në fuqi".
"Ne mund të presim të zbatojnë vendimet pa hezitim"
Gjermania e cila ndodhet në mesin e vendeve që ka pranuar më shumë refugjatë në kuadër të planit e ka mirëpritur këtë vendim. Shefi i diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel thotë se "Mund të presim dhe jemi në pritje që tani të gjithë partnerët evropianë të jenë në përputhje me këtë vendim dhe të zbatojnë pa hezitim vendimet e marra".
"Po shkelin parimet themelore të BE-së"
Pritshmëritë e saj i ka shprehur edhe Italia e cila ka reaguar ndaj vendeve që nuk kanë mbajtur premtimet. Nënsekretari i Kryeministrisë përgjegjës për Çështjet e BE-së për Italinë, Sandro Gozi, vuri në dukje se vendimi i rikujton të gjthë që të respektojnë jetën e njeriut, të drejtat themelore, mbisundimin e ligjit dhe respektimin e ligjeve. "Ata që nuk pranojnë refugjatët shkelin parimet themelore të BE-së", tha Gozi.