Hakan Çopur
30 Qershor 2017•Përditësim: 30 Qershor 2017
WASHINGTON (AA) - Ka hyrë në fuqi ndalesa e vizave e cila u miratua pjesërisht ditën e hënë nga Gjykata e Lartë e SHBA-ve dhe e cila do të ndikojë tek qytetarët që do të kryejnë aplikime të reja nga 6 vende me shumicën e popullsisë muslimane, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndalesa e vizave që u miratua marsin e këtij viti nga presidenti amerikan Trump, por që u kthye nga gjyqësori, pas miratimit të pjesshëm nga Gjykata e Lartë ka nisur të zbatohet mbrëmë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se ndalesa do të zbatohet për 3 muaj me radhë dhe nuk do të jetë shkak për kaos nëpër aeroporte dhe se janë marrë të gjitha masat.
Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit në një deklaratë për mediat amerikane në orët kur ka hyrë në fuqi ndalesa në fjalë ka njoftuar se në kategorinë e "lidhjeve familjare" është shtuar edhe statusi i të fejuarve, status i cili do të kërkohet në aplikimet e reja të vizave që do të kryhen nga vendet e përfshira në ndalesën e vizave si Siria, Irani, Libia, Sudani, Somalia dhe Jemeni.
Në këtë ndryshim theksohet se për ata që kryejnë aplikime të reja për viza nga vendet në fjalë do të shikohet nëse janë prindër, bashkëshort/e, fëmijë i rritur mashkull apo femër, dhëndër, nuse, i/e fejuar apo vëlla e motër me personat që jetojnë me status ligjor në SHBA.
Ndër të tjera theksohet se bashkë me këtë personat e tjerë të familjes të gradës së dytë si gjysh/e, hallë, xhaxha, teze, nip, mbesë, djalë xhaxhai/halle/teze apo kunat janë lënë jashtë kësaj përfshirjeje dhe se nuk do të vlerësohen si "lidhje farefisnore".