Büşra Selvi Öğütcen
15 nëntor 2016•Përditësim: 15 nëntor 2016
HAGË (AA) – Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ka pohuar se ushtarët dhe zyrtarët e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të SHBA-së mund të kenë kryer krime lufte në Afganistan, Poloni, Rumani dhe Lituani, raporton Anadolu Agency (AA).
Në raportin e publikuar nga zyra e kryeprokurorit të ICC-së, Fatou Bensou, theksohet se ushtarë amerikanë dhe zyrtarë të CIA-s mund të kenë kryer krime lufte duke torturuar personat që kanë arrestuar në vendet në fjalë.
Në raport thuhet se ushtarët amerikanë kanë ushtruar torturë, kanë keqtrajtuar dhe kanë shkelur dinjitetin e 61 personave të arrestuar në Afganistan, në periudhën mes 1 majit të vitit 2003 dhe 31 dhjetorit të vitit 2014.
Po ashtu theksohet se zyrtarë të CIA-s, në periudhën mes dhjetorit të vitit 2002 dhe marsit të vitit 2008, krahas Afganistanit, mund të kenë ushtruar torturë, të kenë keqtrajtuar, të kenë përdhunuar dhe të kenë shkelur dinjitetin e 27 personave në Poloni, Rumani dhe Lituani. Siç thuhet, pjesa më e madhe e abuzimeve janë bërë në periudhën 2003-2004.
Sipas raportit, krimet që mund të jenë kryer nga SHBA nuk janë krime individuale, por teknika të miratuara të marrjes së informatave nga të pandehurit, kurse të dëmtuarve që kanë qenë subjekt i dhunës së qëllimshme fizike dhe psikologjike, u është ulur dinjiteti themelor njerëzor.