Murat Ünlü
15 Nëntor 2015•Përditësim: 15 Nëntor 2015
PARIS (AA) - Autoritetet franceze kanë identifikuar njërin nga sulmuesit i cili ishte përfshirë në sulmet që ndodhën të premten në Paris, ndërsa bëhet fjalë për Omar Ismael Mostefai (29), raporton Anadolu Agency (AA).
Mostefai ishte shtetas francez, me origjinë nga Algjeria, i cili më parë ka qenë i lidhur me radikalizmin. Ai është njëri nga tre sulmuesit që shkaktuan vdekjen e mbi njëqind njerëzve në sallën e koncerteve Bataclan në Paris.
Nga ana tjetër, mbrëmë janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar se kanë qenë të afërt me Mostefain.
Zyrtari francez gjyqësor, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të hetimit i cili është në proces, tha se është arrestuar babai i Mostefait, vëllai dhe anëtarët e tjerë të familjes të cilët janë aktualisht në seancë dëgjimore.
Zyrtari i gjykatës gjithashtu tha se në Montreuil, gjashtë kilometra në lindje të Parisit, u gjet automjeti i llojit Seat, i cili besohet të ketë lidhje me sulmet në kryeqytetin francez.
Ai nuk ka konfirmuar nëse bëhet fjalë për Seat-in e zi i cili gjoja i përket sulmuesit të cilët kanë shtënë ndaj mysafirëve në lokalin "Le Carillon" dhe restorantin "Petit Cambodge" që ndodhet në rrugën e Parisit Rue Bichat.
Në Francë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme si dhe tri ditë zie pas sulmeve terroriste në Paris që vranë 129 persona, ndërsa 352 të tjerë u plagosën. Përgjegjësinë për sulmet që ndodhën në disa lokacione të qytetit e mori përsipër organizata terroriste DAESH.