Ekip
21 Tetor 2020•Përditësim: 21 Tetor 2020
Derisa rastet me koronavirusin e ri (COVID-19) tejkaluan shifrën 7.6 milionë sot, India tha se po përgatit një strategji për të shpërndarë vaksinën tek çdo qytetar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë tha se 54.044 raste të reja me COVID-19 u regjistruan në 24 orët e fundit duke e çuar numrin në mbi 7.6 milionë.
Rastet e reja erdhën një ditë pasi vendi për herë të parë regjistroi më pak se 50 mijë në muajt e fundit.
Gjithashtu, me 717 vdekje të reja, numri i viktimave në të gjithë vendin ka arritur në 115.914.
Ministri i Brendshëm, Amit Shah sot në mëngjes tha se 343 pjesëtarë të personelit të policisë indiane kanë humbur jetën në luftën kundër COVID-19.
Kryeministri Narendra Modi tha se vendi po përgatit një strategji për të shpërndarë vaksinat për çdo qytetar.
"Përpjekjet janë për të shpëtuar njerëzimin dhe shumë vende, përfshirë shkencëtarët e vendit të cilët po punojnë në prodhimin e një vaksine", tha Modi në një fjalim të veçantë për kombin.
Duke thënë se disa prej këtyre vaksinave janë në një fazë të avancuar, Modi shtoi: "Qeveria po përgatit një udhërrëfyes të detajuar për të siguruar vaksinën për çdo qytetar të vetëm sa më shpejtë që të jetë në dispozicion".
India aktualisht po shënon rënie të qëndrueshme të rasteve, me një panel të caktuar nga qeveria. Paneli pretendon se shpërthimi mund të kontrollohet deri në shkurt të vitit 2021, me kusht që të gjitha protokollet të ndiqen dhe qeveria të mos zbusë më tej aktivitetet.