Ahmad Adil
29 Prill 2026•Përditësim: 29 Prill 2026
Disa shtete të Indisë kanë zbatuar masa lehtësuese mes temperaturave përvëluese të regjistruara në disa pjesë të vendit të Azisë Jugore, transmeton Anadolu.
Departamenti Meteorologjik i Indisë në një deklaratë tha se temperaturat maksimale ditore ishin në intervalin 40-46 gradë Celsius në shumicën e pjesëve të vendit, përveç rajonit të Himalajeve, verilindjes së Biharit dhe Indisë verilindore.
Departamenti tha se temperatura më e lartë maksimale prej 47.6 gradë Celsius u regjistrua në Banda, në shtetin verior Uttar Pradesh, të hënën.
"Vala e të nxehtit do të vazhdojë në zona të izoluara deri në Indinë Qendrore dhe pritet të lehtësohet më pas", thuhet në deklaratë.
Ekspertët e motit thanë se këtë vit India po përjeton valë të të nxehtit më herët. "Arsyet janë të shumta, përfshirë faktin se kemi patur mot të thatë", tha Mahesh Palawat, zëvendëspresident në "Skymet Weather Services" të Indisë, për Anadolu.
Ai tha se lehtësim pritet nga e mërkura pasi pritet një ndryshim i motit.
Ndërsa temperaturat përvëluese kanë goditur jetën normale, disa shtete indiane kanë shpallur masa. Më herët këtë muaj, autoritetet në kryeqytetin indian New Delhi njoftuan disa masa për shkollat, përfshirë rënien e ziles që nxënësit të pinë ujë rregullisht gjatë vapës së verës.
- Kohë pauze e detyrueshme për punëtorët
Kryeministrja e Delhit, Rekha Gupta tha se janë lëshuar udhëzime të detajuara për të gjitha departamentet për të garantuar sigurinë publike. Ndër masat e shpallura nga Gupta është pushimi i detyrueshëm për punëtorët nga ora 13:00 deri në 16:00, së bashku me sigurimin e ujit dhe hijes.
Në shkolla, përparësi do t'i jepet sigurimit të ujit të freskët për fëmijët ndërsa departamenti i transportit do të vendosë pika uji në stacionet e autobusëve, tha Gupta.
Edhe shtete të tjera kanë nisur masa, përfshirë ndryshimin e orarit të shkollave, ndërsa autoritetet në shtetin lindor indian Odisha kanë shpallur pushimet verore në shkolla që nga e hëna për shkak të kushteve të nxehtësisë.
Shteti gjithashtu regjistroi vdekjen e dy mësuesve të shkollës që ishin pjesë e procesit të regjistrimit të popullsisë, të cilët dyshohet se vdiqën si pasojë e goditjes nga dielli.
Me rritjen e temperaturave në shumë pjesë të vendit, mjekët kanë këshilluar qytetarët të marrin masa paraprake.
"Duke patur parasysh temperaturat, qytetarët duhet të marrin masa paraprake. Grupi i cenueshëm, që përfshin të moshuarit dhe të tjerë, duhet të jetë më i kujdesshëm", tha dr. D. Bahera, specialist i mjekësisë respiratore në Indinë veriore, për Anadolu.
Disa spitale kanë rritur përpjekjet për të ofruar më shumë kujdes për pacientët. Në New Delhi, spitali "Ram Manohar Lohia" ka krijuar njësi të specializuar për goditjen nga nxehtësia për t'u përballur me pacientët.