Riyaz Khaliq Khaliq
04 Maj 2026•Përditësim: 04 Maj 2026
Indonezia dhe Japonia nënshkruan sot një Marrëveshje Bashkëpunimi për Mbrojtjen (DCA), ndërsa shefat e mbrojtjes të të dy palëve u takuan në Xhakarta, sipas një deklarate zyrtare, transmeton Anadolu.
Ministri indonezian i Mbrojtjes, Sjafrie Sjamsoeddin priti homologun e tij japonez, Koizumi Shinjiro për bisedime të nivelit të lartë.
"Të dyja palët mirëpritën forcimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit në mbrojtje, përfshirë shkëmbimet midis njerëzve, arsimin, ndërtimin e kapaciteteve dhe ushtrimet e përbashkëta midis autoriteteve të mbrojtjes, në kuadër të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik", thuhet në deklaratën për media të dy ministrave.
"DCA synon të promovojë më tej bashkëpunimin dypalësh në mbrojtje me përfitim të ndërsjellë dhe të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin e të dy vendeve dhe rajonit", thuhet më tej. Marrëveshja përfshin bashkëpunim të zgjeruar në sigurinë detare, ndihmën humanitare dhe lehtësimin e fatkeqësive si dhe bashkëpunimin për pajisjet dhe teknologjinë e mbrojtjes.
Japonia, në një vendim të paprecedentë muajin e kaluar, lehtësoi rregulloret e pajisjeve të mbrojtjes. Të dyja palët diskutuan krijimin e "Mekanizmit të Integruar të Dialogut të Mbrojtjes" për të thelluar partneritetin e mbrojtjes midis dy vendeve në një mënyrë të integruar dhe gjithëpërfshirëse.
"Të dy ministrat u pajtuan për të rritur diskutimet mbi masat për të mbrojtur informacionin e klasifikuar ushtarak, me qëllim forcimin e bashkëpunimit operacional. Ata poashtu u dakorduan që kur të jetë e nevojshme për të ofruar sigurinë e të dy vendeve, paqen dhe stabilitetin në rajon, të dyja palët do të konsultohen me njëra-tjetrën", thuhet në deklaratë.
Duke theksuar qendrën e ASEAN-it, të dy ministrat u pajtuan për të vazhduar diskutimet mbi bashkëpunimin brenda kornizave shumëpalëshe, përfshirë bashkëpunimin trepalësh midis Australisë, Indonezisë dhe Japonisë, përveç kornizave të tjera, përfshirë takimin e ministrave të Mbrojtjes të ASEAN-it plus.