Serdar Dincel
01 Qershor 2026•Përditësim: 01 Qershor 2026
Irani tha sot se një armëpushim me SHBA-në mbulon "të gjitha frontet, përfshirë Libanin", duke i mbajtur SHBA-të dhe Izraelin përgjegjës për "pasojat e çdo shkeljeje", transmeton Anadolu.
"Armëpushimi midis Iranit dhe SHBA-së është padyshim një armëpushim në të gjitha frontet, përfshirë Libanin. Shkelja e tij në një front është një shkelje e armëpushimit në të gjitha frontet", shkroi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
"SHBA-ja dhe Izraeli janë përgjegjës për pasojat e çdo shkeljeje", paralajmëroi ai.
Komentet e tij erdhën pasi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei paralajmëroi sot në mëngjes se Teherani nuk do të hezitojë të ndihmojë Libanin të rezistojë ndaj "agresionit të paligjshëm" të Izraelit ndaj vendit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi sot ushtrinë të kryejë sulme ajrore në Bejrut në një përshkallëzim të ri pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja që është në fuqi që nga 17 prilli.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit në shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme që synonin Izraelin dhe aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik, së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill me ndërmjetësimin e Pakistanit, por bisedimet pasuese në Islamabad dështuan të prodhonin marrëveshje të qëndrueshme.