Muhammet Kurşun
22 Qershor 2020•Përditësim: 23 Qershor 2020
Këshilltari ushtarak i liderit iranian Ali Khamenei, Huseyin Dehkan, tha se nëse Arabia Saudite pajtohet, Irani është i gatshëm për negociata të pakushtëzuara me Riadin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dehkan, ish-ministër i Mbrojtjes, këto komente i ka bërë në një deklaratë për Al Jazeera, sipas agjencisë zyrtare iraniane IRNA.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet e vendit të tij me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë përmirësuar dhe se qëndrimi i Abu Dabit ndaj Teheranit ka ndryshuar.
"Nëse Riadi pajtohet, ne jemi të gatshëm për një dialog pa parakushte me Arabinë Saudite. Riadi duhet të pranojë humbjen e tij në luftën e Jemenit dhe të ndjekë një politikë të re", ka shtuar ai.
Ndërkaq, ai i ka quajtur si "qesharake" pretendimet se Teherani mbështet komandantin e forcave jolegjitime në Libi, Khalifa Haftar.
"Irani zyrtarisht njeh dhe mbështet Qeverinë e Pajtimit Kombëtar në kryeqytetin Tripoli, përfaqësuesin legjitim të Libisë në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Irani fton të gjitha palët për një zgjidhje politike lidhur me Libinë", ka thënë Dehkan.